Lokale - eSIMy

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar një mobilizim të komunave për luftimin e pandemisë COVID-19.

Hoti të hënën ka pasur një bashkëbisedim elektronik me kryetarët e komunave të Kosovës, të cilëve ua ka prezantuar masat e reja të ndërrmarra nga Qeveria për parandalimin e pandemisë COVID-19.

“Kemi paraparë mobilizimin e stafit shëndetësor në nivel të vendit, duke përfshirë sipas nevojave edhe ata profesionistë që nuk janë angazhuar momentalisht. Në veçanti, do të shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet e COVID-19”, ka thënë kryeministri Hoti, ku ka kërkuar nga kryetarët e komunave që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për riaktivimin e Shtabeve emergjente komunale për menaxhimin e pandemisë.

Ai ka thënë se Qeveria do të sigurojë ndarjen e buxhetit shtesë për angazhimin e personelit shëndetësorë shtesë dhe për pajisjet mbrojtëse të personelit shëndetësor.

“Nga data 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, kemi ndaluar çfarëdo qarkullimi të personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri, përveç në raste urgjente shëndetësore, sepse ekspertët e shëndetësisë këto komuna i kanë vlerësuar si vatrat më të prekura nga COVID 19”, tha kryeministri Hoti, duke kërkuar bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në mes të Qendrës së Situatave dhe Shtabeve komunale të menaxhimit të pandemisë COVID 19, të cilat duhet të riaktivizohen me kapacitet të plotë.

Ai ka thënë se do të angazhohen edhe inspektorë shtesë dhe do të shqiptohen gjoba për mosrespektim të rekomandimeve.

Hoti po ashtu ka thënë se sa i përket asaj nëse do të fillohet procesi mësimor në muajin shtator, Qeveria do t’u përmbahet protokolleve të OBSH-së dhe me kohë do të dal me njoftim.

Gjithashtu, shumica e kryetarëve të komunave shtruan si shqetësim procedurat e testimit për COVID 19, ndërsa kryeministri Hoti i njoftoi ata se Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, do të mundësojë decentralizimin e këtij procesi, nëpërmjet licencimit të institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID 19, në përputhje me ligjet në fuqi.