Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka mbajtur një konferencë për media pas takimit të Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus.
Hoti tha se tanimë nga gjendja e krijuar me pandeminë nuk ka vende në Klinikën Infektive për të pranuar edhe më shumë pacientë.
“Kemi 49 raste me fatalitet. Klinika Infektive nuk kanë kapacitet për të pranuar më njerëz. Tash ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKSHPK-së po krijojnë kushte edhe në klinika tjera”.
I pari i qeverisë theksoi se çdo kush që nuk i respekton masat e vendosura kundër Covid-19, kryen vepër penale.
“Çdo kush që nuk i respekton këto masa kryen vepër penale. Deri më sot i kemi pasur mbi 2 mijë raste, 112 të hospitalizuar gjashtë janë në gjendje të rëndë.Mjekët në këtë klinikë po bëjnë maksimumin. Nëse shikojmë shifrat diku tetë për qind e mjekëve janë të prekur sepse janë në vijë të parë të frontit”.
Ai shtoi se qysh nga mbledhja e ardhshme e ekzekutivit do të shqyrtohen që të merren edhe masat e tjera.
Hoti deklaroi me këtë rast se Kosova është e rrezikuar nga vala e dytë e Covid.
“Qysh nga mbledhja e ardhshme do të marrim masa shtesë. Që nga reduktimi i stafit nëpër ndërmarrje e po ashtu edhe mbyllja edhe e sektorëve edhe bizneseve apo departamenteve që kanë punëtorë të prekur me Covid-19. Do të ndalojmë edhe grumbullimin në më shumë se 100 persona”.
“Do të rregullojmë pak më mirë edhe tek ceremonitë mortore. Do të rrisim edhe numrin e inspektorëve sanitarë. Secili inspektor sanitar është i obliguar që të rrijë 24 orë në rrugë. Duke hyrë në kafene, në barnatore dhe vende të tjera dhe ku nuk ka përdorim të maskave të dënohen sipas ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse”.
“Është kërkuar edhe rritja e numrit të infermierëve, është çështje ditësh kur ne do të bëjmë shtimin e 100 infermierëve që do të punojnë nëpër klinikat e ndryshme”.
“Jemi në rrezik nga vala e dytë. Na ndihmoni që të mos rrezikohemi”.






