Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, insiston se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale, që sipas tij duhet të jetë ligjërisht e obligueshme.

Ai pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën në Bruksel, ka thënë se do të vazhdojë të vlejë parimi se për asgjë nuk do të dakordohet, derisa të dakordohet për marrëveshjen finale, që duhet të sjellë edhe njohjen reciproke mes vendeve.

“Në përputhje me zotimet që kemi marrë nga Samiti i Parisit para kancelares Merkel dhe presidentit Macron, për të hyrë në proces të dialogut, sot është mbajtur takimi i dytë i nivelit të lartë me palën serbe për të punuar për marrëveshjen finale, të përgjithshme, ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, që duhet të dërgojë te njohja reciproke. Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, që jemi të gatshëm të lëvizim para. Dëshiroj të falënderoj zotin Borrell e zotin Lajçak dhe punën e dy ekipeve tona në përafrimin e qëndrimeve. Unë me kënaqësi e them që është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale në mes të dy shteteve për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Do të vazhdojmë në takime tjera me tema tjera që duhet të adresohen, çdo që e diskutojmë është pjesë e marrëveshjes finale duke vlejtur gjithmonë parimi që ne nuk dakordohemi asgjë, derisa nuk dakordohemi për marrëveshjen finale”, ka thënë Hoti para gazetarëve në Bruksel.

Hoti është pyetur edhe për reagimin e BE-së në lidhje me premtimin e Kosovës se do të hapë ambasadën e saj në Jerusalem. Hoti tha se kjo çështje nuk është diskutuar, ndonëse po sot BE-ja tha se kjo është në kundërshtim me qëndrimet e saj.

“Kjo temë nuk ka qenë çështje e këtij takimi. Perspektiva jonë është Evropiane, Evropë integruese. Nuk kemi rrugë tjetër, duhet të punojmë shumë me BE-në. Marrëveshja që është arritur në Washington dhe njohja që është marrë nga Izraeli është hap i rëndësishëm i konsolidimit të shtetësisë në arenën ndërkombëtare. Do t’i përputhim. Do të punojmë bashkë. Po punojmë bashkë edhe me BE-në edhe SHBA-në për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës. Kemi marrë obligim dhe do të lëvizim në atë drejtim”, ka thënë Hoti.

Kryeministri ka folur edhe për pozitën e saj mes SHBA-së dhe BE-së. Hoti ka mohuar se Kosova është “vegël” në këtë rast.

“Absolutisht jo. Çështja e Kosovës është ndarë. Në takimin me Lajçakun dhe Palmerin më është thënë se ekziston koordinim jo i ngushtë, por i plotë për procesin e dialogut mes të BE-së dhe SHBA-së. Kemi marrëveshjen në Washington për normalizim të pjesës ekonomike me disa elemente politike. Takimi i sotëm, progresi që është bërë, neve na afron më afër marrëveshjes finale për njohje reciproke”, ka shtuar ai.