Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur ish-kryeministrit Ramush Haradinaj që propozoi të mbahet një Konferencë e partive dhe përfaqësues ndërkombëtarë, për dialogun me Serbinë. Sipas Hotit, kjo s’është e nevojshme.
“Kosova ka institucione legjitime të dala nga zgjedhjet demokratike të 6 tetorit, të cilat bartin përgjegjësitë kushtetuese, përfshirë edhe dialogun me vendin fqinj Serbinë. Nuk ka nevoje për asnjë konferencë për këtë qëllim, të brendshme as të jashtme. Sigurisht se konsultimet janë gjithmonë pozitive”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.
Sipas Hotit, ajo që duhet është ushtrimi i përgjegjësive kushtetuese nga secili.
“Kryeministri duhet të marrë përsipër dialogun ashtu siç e definon edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti duhet të qëndrojë brenda kompetencave të veta kushtetuese. Kuvendi duhet të kërkojë transparencë në këtë proces dhe të mbikëqyrë procesin duke ftuar Kryeministrin në raportim të rregullt, por edhe duke nxjerrë rezoluta nëse e sheh të nevojshme të shprehë qëndrimin e vet për të kornizuar më qartë dialogun”, ka shtuar tutje Hoti.






