Ndonëse çështja e dialogut është përmendur si arsyeja për krisjen e raporteve brenda koalicionit qeverisës, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se janë unikë përballë Serbisë.

Pas homazheve që i ka bërë në pllakën përkujtimore të personave të pagjetur me rastin e Ditës Botërore të të Pagjeturve, Hoti ka theksuar se është duke u angazhuar plotësisht në dialogun me Serbinë.

“Si koalicion jemi plotësisht unikë. Ju e dini që unë kam kërkuar edhe nga opozita që të jenë pjesë e këtyre zhvillimeve, por unë jam duke u angazhuar, duke punuar në bazë të kompetencave kushtetuese për të përfaqësuar shtetin e Kosovës në këto bisedime”, ka thënë Hoti.

Duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Alekandar Vuçiq, Hoti ka thënë se në çdo takim temë e vetme është njohja reciproke, në të kundërtën nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Në çdo takim që kemi, tema e vetme për çfarëdo që bisedojmë, çdo gjë është në funksion të njohjes reciproke, ndryshe nuk normalizohen”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali