Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur pas takimit që ka pasur me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Hoti ka thënë se Lajçak flet në emër të 27 shteteve të BE-së dhe se marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke, shkruan lajmi.net.

“Në emër të qeverisë e falënderova për angazhimin e Lajçak. Ai në Kosovë është i nderuar sepse flet në emër të 27 shteteve të BE-së. Dialogu duhet që përfundimisht ta mbyllë marrëveshjen dhe çështjet e hapura. Një dialog me njohje reciproke dhe që i hap rrugë integrimeve. Kjo marrëveshje është e rëndësishme për të gjithë rajonin dhe stabilitetin komplet të BE-së. Vendi jonë është brenda BE-së dhe unë jam shumë i kënaqur dhe inkurajuar me mesazhet që zoti Lajçak na i prezentoi”, tha Hoti.

Kryeministri po ashtu tha se pret që sa më parë të angazhohet në këtë proces dhe të arrihet një marrëveshje finale.

Hoti po ashtu përmendi edhe një takim të dytë që do të mbahet me Lajçakun.

“Unë pres që sa më parë të angazhohemi në këtë proces të rëndësishëm që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare. Unë i shfaqa të gjithë interesimin tonë për të hyrë në këtë proces. Zoti Lajçak ka agjendë të ngjeshur për të takuar të gjithë akterët dhe unë pres që të takohemi edhe njëherë për rezultatet teknike”, tha në fund ai.