Sot në Kuvend po vazhdon seanca e djeshme plenare, e ku në rend dite janë 6 pika.
Ministri i Financave Hekuran Murati prezantoi në Kuvend një marrëveshje ndërkombëtare për kredi nga Banka Botërore në vlerë 47 milionë euro për skemat sociale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lidhur me këtë reagoi deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti. Ai pyeti ministrin Murati se çfarë shteti është Kosova nëse merr kredi për të paguar skemat sociale.
“Që të rishikohen skemat pajtohemi sepse ka qytetarë që plotësojnë kushtet dhe s’marrin dhe anasjelltas. Të merret kredi për pagesë të skemave sociale kjo nuk ka ndodhur asnjëherë ndoshta prej vitit 2008 e këndej që shteti i Kosovës të marrë kredi për të paguar skemat sociale ose paga. Në fund të fundit çfarë shtetit jemi nëse nuk arrijmë që me të hyrat që kemi të paguajmë skemat sociale e pensionale. Vetëm Palestina ose Sahara Perëndimore që kanë vështirësi për konsolidimin e institucioneve marrin kredi të tilla”, tha Hoti.
Hoti shtoi se LDK-ja nuk e përkrah këtë marrëveshje.






