Ish kryeministri kosovar Avdullah Hoti ka listuar disa nga produktet që sipas tij janë rritur shumë më shumë se përqindja totale prej 14%, derisa ka akuzuar qeverinë Kurti që nuk po ndërmerr asnjë masë për të lehtësuar jetën e qytetarëve.

Sipas tij, çmimet në qershor të këtij viti u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, por sipas Hotit në produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe.

“Vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%), Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%), Gazi (39,3%), Buka dhe drithërat (27,7%), Qumështi, djathi dhe vezët (22,3%), Mishi (19,6%), Sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0%), Prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8%), Perimet (6,8%), Lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6%)”, ka shkruar Hoti.

Ai ka theksuar se po të hiqej akciza në derivate, çmimi i naftës sot do të ishte shumë më i lirë.

“Sot, 12 korrik 2022, çmimi i naftës është caktuar 1.75 euro për litër. Për çdo litër të naftës, qeveria mbledh 61 centë. Sikur Qeveria të pezullonte akcizën në naftë, sot çmimi i naftës do të bëhej 1.39 euro për litër”, thekson deputeti i LDK-së.

Sipas tij qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët.

“Nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8%, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale”, shton tutje Hoti.