Për nder të Ditës së Çlirimit të Podujevës, delegacioni i Komunës së Podujevës, i prirë nga Nënkryetari, Nexhmi Ridari, ka bërë homazhe pranë shtatoreve të heronjve, komplekset memoriale dhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Me këtë rast, nënkryetari Rudari ka thënë se “19 qershori i vitit 1999 shënon ditën më të rëndësishme në historinë e lavdishme të Llapit, Ditën e Çlirimit. Shënon ditën e krenarisë dhe rikthimin në ngjarjen më kulmore të historisë sonë, çlirimin nga regjimi serb”.
“Në këtë ditë të shënuar, përkujtojmë dhe me pietet u përkulemi të gjithë atyre që luftuan dhe flijuan veten e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, ka thënë nënkryetari Rudari.
“Në këtë situatë të rëndë pandemie, kur jemi të shtrënguar të pezullojmë aktivitete në këtë ditë të veçantë për neve, një falënderim i veçantë për mjekët dhe të gjitha institucionet që japin kontributin në parandalimin e përhapjes së Covid-19”.
“Me dëshirën që sa më shpejt dhe më lehtë ta kalojmë sfidën e pandemisë dhe të vazhdojmë me punë të mira e projekte të mëdha, llapjanë të dashur, urime Dita e Çlirimit, gëzofshi gjithmonë të lumtur dhe të lirë!”, thuhet në urimin e Rudarit.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, Rudari ka pezulluar të gjitha aktivitetet e tjera të planifikuara për nder të 19 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Podujevës./Llapi.info