Fahrudin Muminoviç, i mbijetuar i vrasjeve masive në Srebrenicë në vitin 1995, e ka pasur të vështirë ta rindërtojë jetën e vet dhe të familjes pas përfundimit të luftës. Pas 23 viteve, kjo detyrë i është bërë më në fund pak më e lehtë. Një fondacion i themeluar në Facebook ka arritur t’i mbledhë 227 mijë dollarë brenda 16 ditësh për djaloshin që nuk e ka asnjërin prind.

Shtëpia e familjes së tij në Urkovici ishte shkatërruar tërësisht gjatë luftës. Fahrudini ishte plagosur në dorë dhe në këmbë kur kishte ndodhur masakra e Srebrenicës, në të cilën ishin vrarë rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë nga forcat serbe. “U kthyem në vendlindje në vitin 2002 dhe nuk na kanë ofruar asgjë, përpos gjashtë deleve”, thotë ai.

Babai i tij ishte vrarë në luftë ndërsa nëna kishte vdekur vetëm 26 ditë pasi e kishte lindur motrën e tij, Fahretën, gjatë konfliktit të vitit 1993.Duke qenë jetimë dhe të varfër, pas luftës ata u strehuan te daja i tyre. Gjatë kësaj periudhe, ai ka dëshmuar për tmerrin që e ka përjetuar. Në gjykimin e shtatë të dyshuarve për krime lufte në Hagë, Fahrudini e ka përshkruar në hollësi skenën e luftës gjatë viteve 1992-1995. Bashkë me babain e tij ishin nxjerrë nga shtëpia dhe forcat serbe ua kishin lidhur sytë.

Pasi ishin bashkuan me njerëzit tjerë, Fahrudinit i ishte shkëputur dora nga dora e babait dhe ishte rrëzuar në tokë. Në ato çaste kishte filluar zbrazja e plumbave mbi ta, ndërsa ai thotë se e nuhaste erën e gjakut të trupave të vdekur që rrëzoheshin pranë tij. Në mesin e të vdekurve sigurisht se do të ishte edhe Fahrudini, sikur një ushtar të mos shfaqte mëshirë dhe t’ua ndalonte të tjerëve ta vrisnin edhe 7-vjeçarin. Ai ishte i mbijetuari i vetëm i këtij tmerri.

Me paratë e mbledhura për ta, Fahrudini dhe Fahreta planifikojnë ta blejnë një shtëpi në Sarajevë dhe ta rinovojnë shtëpinë e shkatërruar në Ukrovici. Sidoqoftë, Fahrudini e ka edhe një dëshirë që nuk i është plotësuar ende. Ai dëshiron ta gjejë familjen e mjekut serb që e kishte dërguar në spital kur ishte plagosur. Ai ka marrë vesh se mjeku ka ndërruar jetë, por dëshiron ta falënderojë familjen e tij për kujdesin që e kishte treguar ndaj tij në kohën e luftës, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express