Pas raportimit të Llapi.info se Komuna e Podujevës po i plaçkitë qytetarët e saj duke ua marr nga 3 euro taksë për kërkesën për legalizimin e objekteve, ajo ka marr vendim që të hiqet kjo taksë. Këtë e konfirmoi edhe Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, në Komunën e Podujevës, Durim Salihu.

Ne kemi raportuar ditë më parë se kjo komunë nuk e kishte marrë parasysh vendimin e ministrit Agani, se kërkesa për legalizimin e objekteve është pa pagesë në të gjitha komunat, dhe se qytetarët e kësaj komune kishin paguar taksë prej 3eurosh për një kërkesë të tillë. Në kontaktin që kishim bërë me zyrtarët e kësaj komune, na patën thënë që kjo gjë nuk është kompetencë e tyre.
Mirëpo, tek sot ata kanë vendosur që kjo taksë të hiqet, tash kur janë bërë 4.000 kërkesa që janë paguar nga 3euro.

Në komunë thonë së kjo ishtë për shkak të një keqkuptimi që ka ndodhur në zyrën e pranimit të lëndëve.

Drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, në Komunën e Podujevës, Durim Salihu, tha për llapi.info se kjo taksë ka ardhur si rezultat i një keqkuptimi në zyrën e pranimit për protokolimin e lëndëve, mirëpo nga sot kjo taksë është hequr.

“Janë 4.000 kërkesa që janë bërë deri më sot dhe që kanë paguar një taksë prej 3euro, por kompenzimi i gjithë këtyre qytetarëve do bëhet në fazën e dytë për aplikimin e legalizimit të objekteve. Faza e dytë do filloi me 15 shtator dhe ata që kanë paguar taksë në fazën e parë, në fazën dytë do paguajnë vetëm 97euro, në mënyrë që të kompenzohen ato mjete, ndërsa, të tjerët që do e bëjnë kërkësen falas do paguajn nga 100euro në fazën e dytë”, ka thënë Salihu.

Ata të cilët nuk e kanë bërë ende një kërkesë të tillë, tani u duhet vetëm kopja e letërnjoftimit dhe kërkesa për legalizimin e objekteve e cila merret në komunë, për të cilën nuk kanë nevojë të paguajn. /llapi.info