Këshilltari komunal i PDK-së, Hilmi Hoxha, është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit të Podujevës, raporton Llapi.info.
Hoxha ka marrë votat e mjaftueshme në raundin e tretë për të marrë primatin e Kuvendit të Podujevës, në një votim të fshehtë. Në votim kanë marrë pjesë 19 këshilltarë komunalë, prej tyre, 19 kanë qenë pro.
Në votim nuk kanë marrë pjesë asamblistët e LDK-së dhe dy këshilltarë të AAK-së.
Propozimin e Hoxhës në asamble komunale e ka bërë këshilltarja e PDK-së, Mimoza Abdullahu.
“Ne propozojmë Hilmi Hoxhën për kryesues të Kuvendit. Ai është profesor që disa vite dhe është zgjedhur për herë të tretë këshilltar komunal”, është shprehur Abdullahu.
Gjatë seancës së sotme, kandidatja e VV-së, Adelina Stublla është tërhequr nga gara, pasi në dy raundet e para dje nuk i kishte votat e mjaftueshme për kryesuese të Kuvendit.
Me zgjedhjen e Hoxhës në krye të Kuvendit janë evituar zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin Komunal të Podujevës./Llapi.info






