Kryetari i Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në ngjarjet sportive, Besim Kelmendi, ka thënë se hetimet e prokurorisë për dyshimet për kurdisje në ndeshjen Llapi – Drenica, nisi pas informatës së kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Kelmendi, që është prokuror i Prokurorisë së Shtetit ka thënë se me të marrë informatën kanë kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të filloj me verifikimin e këtyre dyshimeve.

“Ne si Këshill Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dukurive Negative dhe kurdisjeve në sport, pas marrjes së informacionit nga kryetari i FFK-së për dyshimet për kurdisje në ndeshjen Llapi – Drenica, menjëherë kemi kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që të filloj me verifikimin e këtyre dyshimeve dhe e njëjta prokurori ka marr informacionin dhe do të filloj menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. Ai (kryetari v.j.) ka dhënë informacionin dhe unë e kam përcjell te Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi”, ka thënë Kelmendi të hënën për KOHËN.

KOHA ka provuar të vë kontakt me kryetarin Ademi, por ai nuk i është përgjigjur telefonatave.

Ndërkohë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka mohuar se ka pasur parregullsi në këtë ndeshje. Madje, ka ftuar hetuesinë që ta zbardhë sa më parë të vërtetën. Edhe futbollistët kanë mohuar të ketë pas kurdisje të ndeshjes.

“Hetuesia pas intervistimit që ka bërë me lojtarët dhe të tjerët, përfshi edhe mua, ftoj ta intervistojë edhe delegatin, komisionin e delegatëve dhe gjyqtarët. Kështu mendoj është më së miri, por hetuesia e di më së miri, por ne si klub do të bëjmë gjithçka që të dalë e vërteta sepse jemi lodhë me këto spekulime dhe shantazhe të qëllimshme ndaj klubit tonë”, ka thënë Batatina.

Në të vërtetë, edhe në të kaluarën ka pasur akuza për ndeshje të kurdisura. Janë nisur edhe procedura hetimore, por që deri tash nuk ka asnjë të dënuar.

Ndeshja Llapi – Drenica është luajtur javën e kaluar. Publikisht janë paraqitur dyshime për kurdisje. Drenica fitoi 2:0.