Sahin Akdemir, 25-vjeç, ka humbur jetën nga zjarri që mbrëmë ka goditur zonën e Marmaras në Turqi. Sahin humbi jetën derisa ndihmonte zjarrfikësit të luftonin me vatrën e zjarrit.

I riu kur e kuptoi se në mënyrë të pakontrolluar po zgjerohej zjarri në zonat tjera, hipi në motoçikletën e tij dhe mori disa kova me ujë dhe u nis drejt zonës së rrezikshme, transmeton Telegrafi.

Për fat të keq derisa po kthehej për të marrë akoma ujë, përjetoi një aksident nga i cili u lëndua rëndë dhe nuk arriti t’i shmanget zjarri dhe në mënyrë tragjike humbi jetën.

Siç raportojnë mediat në Turqi, zjarri kishte kapluar edhe motoçikletën e tij. E pak para kësaj tragjedie, ky i ri pati bërë thirrje në rrjetet sociale që t’ju dalin në ndihmë zjarrfikësve.

“Ju lusim që të sillni ujë, ne do të vazhdojmë të bartim ujë për zjarrfikësi, le t’ju ndihmojë zoti”, pati shkruar në rrjetet sociale.

Ai më pas kishte informuar se po zgjerohet zjarri – duke publikuar fotografi nga zonat e rrezikshme, e duke apeluar për transportimin e ujit.

Kujtojmë që Turqia sot është futur në ditën e tretë ku po ballafaqohet me vatra të shumta të zjarrit që kanë shpërthyer në Antalia, Bodrum dhe Marmara dhe në disa lokacione – ku si pasojë humbën jetën tre persona.

Në aksionin për fikjen e zjarrit, autoritetet kanë angazhuar mbi 20 fluturake dhe 1.000 zjarrfikës.