Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk pajtohet me vlerësimet e organizatave ndërkombëtare financiare që thonë se rritja ekonomike do të shkojë nga 2% në 4% si pasojë e luftës në Ukrainë.

Murati tha se, sipas parashikimeve, rritja ekonomike reale do të jetë 5.7%, megjithatë shton se qytetarët i përballojnë krizat.

“Parashikimet tona që kemi bërë dhe projeksionet që kemi parashohin një rritje ekonomike reale prej 5.7%. Ne patëm thënë qysh në mes të vitit kur patëm bërë rishikimin e buxhetit që rritja kap shifrën dyshifrore dhe në fund të vitit ashtu edhe doli. Tash normalisht që modelet e organizatave ndërkombëtare janë çdo herë më konservative dhe marrin për bazë, si të them, indikatorët e përgjithshëm.

Ne duke qenë se jetojmë këtu, shohim edhe çdo ditë bizneset por edhe njohim qytetarët tonë, e dimë se sa të qëndrueshëm janë ndaj krizave. Jemi të mësuar si qytetarë dhe si popull me kriza dhe duke marrur parasysh këto, ne jemi goxha agjil, goxha të përshtatshëm, ndoshta edhe më lehtë se popujt e tjerë”, ka thënë Murati

Po ashtu, kujtojmë se qëndrimin për këtë gjë e ka ndryshuar edhe Qeveria e Kosovës, ku parashikimet në fillim të këtij viti sa i përket rritjes ekonomike i kishin 7-8%, ndërkaq sot thonë se do të ketë rënie në 5.7%.