Lokale - eSIMy

Këshilltari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Fitim Haziri, ka thënë se në Komunën e Podujevës ka shumë familje, që sipas tij, iu mungojnë drunjtë për ngrohje nga kushtet e rënda ekonomike, transmeton Llapi.info

“Reshjet e borës dhe vala e të ftohtit që ka goditur vendin tonë ka bërë që shumë familje të Komunës së Podujevës të mos kenë drunj për t’u ngrohur. Jo pse ata i ka zënë acari në befasi, por kushtet e rënda ekonomike ua kanë pamundësuar përgatitjen për stinën dimërore. Është e vështirë të dëgjosh rënkimet e kryefamiljarit të njërës nga familjet llapjane për kushtet e vështira që kanë në këtë kohë dimri dhe se si ata ballafaqohen me të ftohtit, duke qëndruar me kohë të gjatë të mbuluar me batanije”, ka shkruar ai.

Haziri më tej përmes një postimi në ‘Facebook’, ka kërkuar nga i pari i Podujevës, Agim Veliu që drunjtë e konfiskuar që gjenden në fshatin Peran, t’iu shpërndahen familjeve në nevojë.

“Kryetar Veliu, nëse e di që pesha e vuajtjeve matet me rënkimet e burrave, atëherë dije dhe mos qëndro në zyrën tënde të ngrohtë, por dil e mati vuajtjet e njerëzve në komunën që ti e udhëheq. Ty asgjë nuk të kushton që ta marrësh një vendim për drunjtë të cilët i keni konfiskuar e që janë me qindra metra dhe qëndrojnë të ngrirë në pikën grumbulluese në Peran, që t’u shpërndahen familjeve në nevojë për ngrohje. Pse kryetar Veliu nuk e bënë këtë? A ke harruar se je i zgjedhur i këtij populli të kësaj komune që t’ua lehtësosh vuajtjet, e jo t’ua shtosh? Tani keni marrë vendim që ta dekoroni qytetin dhe keni ndarë gati 10 mijë euro e qytetarët e tu nuk kanë drunj për t’u ngrohur. Ke frikë nga mallkimi i të vuajturit, se mallkimi i tij nuk ka perde dhe mund të godet në çdo moment!?”, ka përfunduar Haziri./Llapi.info