Lidhja Demokratike e Kosovës në Podujevë sot me një manifestim të mbajtur, shënoi 28 vjetorin e themelimit, raporton Llapi.info

Të pranishëm në këtë manifestim ishin struktura të larta të LDK-së dhe të ftuar të tjerë. I pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së në Gjilan Lutfi Haziri.

Haziri gjatë fjalimit të tij para shumë të ftuarve tha se pa njerëzit e LDK-së Kosova nuk mundet të ecë përpara.

“Falënderimi i shkon atij që e ka themelu këtë lidhje në atë kohë, po LDK-ja ka vazhdu me mbet ajo lidhje që Ibrahim Rugova e themeloi me njerëz të librave, dijes siç përshkoi Veliu këtu. Pa LDK-në pa ju, dhe pa njerëzit e LDK-së, pa vendimet tona Kosova nuk mundet të ecë përpara. Neve na ndalen sepse nuk na deshën suksesin, dy herë pas luftës politikisht na ndalen duke mos dashur suksesin e LDK-së.” tha Haziri

Tutje ai tha se LDK në Komunën e Podujevës asnjëherë nuk i ka humbur zgjedhjet, por i ka fituar me rezultate rekorde.

“Treguesi është shumë i qartë, duhet ta ruajmë këtë vlerë të ndërtimit të unitetit duke e vendosur kompromisin jo më në dëm të LDK-së dhe jo në dëm të njerëzve që kanë kontribu për LDK-në. Ky kontribut i atribuohet Podujevës që asnjëherë nuk i ka humbur zgjedhjet në historinë e saj, asnjëherë nuk e ka largu rezultatin e vet gjithmonë ka qenë fituese rekorde e të gjitha zgjedhjeve edhe kundër kandidatëve, kundër partive, kundër koalicioneve të natës edhe kundër çdo lloj koalicioneve që ju ka dalë përpara,” tha mes tjerash Haziri.

Haziri  shtoi se shtylla kryesore e shpirtit politik të LDK-së përveç Lirisë e Pavarësisë është Demokracia./Llapi.info