Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri ka thënë se vazhdojnë të favorizojnë shkuarjen në zgjedhje para një opsioni tjetër – bashkimin me pushtetin – në dialogun me Serbinë.
Ky qëndrim i Lutfi Hazirit është dhënë pas publikimit të Projektrezolutës së PSD-së, e cila po synon të përfshihet në dialog bashkë me LDK-në e Vetëvendosjen.

“LDK e ka favorizu një marrëveshje për zgjedhje të hershme parlamentare gjatë gjithë verës. Ne e favorizojmë mocionin përpara bashkimit në dialog”, ka thënë Haziri, për Express, të dielën.

Ai ka thënë se as Qeveria dhe as opozita s’kanë vullnet të shkojnë në një proces dialogues me Serbinë në një situatë të ndarjeve të mëdha politike që ekzistojnë aktualisht.

“Nuk po shoh vullnet në qeverisje që situata politike të përballet me një format të ri të dialogut, apo një inciative të zgjidhjes së kësaj situatë. Skena politike është e ndarë në dysh, m e kokëfortësi dhe me muskuj po i çojnë përpara… edhe opozita ndonjëherë po tenton me bo zgjidhje parciale”, ka thënë ai.

Partia e Shpend Ahmetit ka propozuar të ketë dy udhëheqës të dialogut – një i pozitës dhe një i opozitës – dhe që një Komisioni i veçantë të mbikëqyrë punës së dialogut me Serbinë.

Sidoqoftë, Lutfi Haziri thotë se LDK s’ka kërkuar asnjëherë marrëveshje për të udhëhequr dialogun, meqë, kjo kompetencë është e institucioneve. Por, ka thënë se kanë kërkuar bashkërendim dhe konsensus.

“Opozita në çdo vend ka rol. Sa i përket udhëheqjes së dialogut, ne s’kemi kërku udhëheqje por konsensus. Oraret për këtë dialog të zbardhet”, ka thënë Haziri.

“Pa LDK s’mund të fillojë dhe as përfundojë suksesshëm një proces. Pa LDK’në s’mund të ketë asnjë zgjidhje që i jep vizion të ardhmes së Kosovës”, ka shtuar ai.

Aktualisht, dialogu final me Serbinë ka filluar ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksander Vuçiq.

Qeveria e Kosovës ka propozuar një ekip dialogues me në krye Fatmir LImajn, i cili ka refuzuar të nisë punën pa e bërë pjesë edhe opozitën.

Zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë kanë thënë se kjo është faza finale e dialogut në të cilën do të ketë një Marrëveshje finale.

Deri më tash, Presidenti Thaçi ka thënë se do të ketë korrigjim dhe ndryshim të kufijve, njohje të Kosovës dhe anëtarësim në OKB. Madje, ka thënë se Kosovës do t’i bashkohet edhe Lugina e Preshevës.

Pala serbe kanë thënë se në kuadër të dialogut do të zyrtarizojnë marrjen e Veriut të Kosovës.

Situata është komplikuar edhe më shumë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’iu vendosur taksë 100 për qind produkteve serbe. Pas kësaj, Serbia ka thënë se nuk do të ketë dialog derisa është në fuqi kjo masë.

Ndërkohë, në katër komunat veriore, Kryetarët e Komunave kanë dhënë dorëheqje, duke krijuar një situatë të re, në të cilën pritet të shpallen zgjedhjet bazuar në Ligj dhe Kushtetutë.

Veç kësaj, të premten mbrëma, Kryeministri Ramush Haradinaj paralajmëroi se nëse rrëzohet Qeveria bashkë me te në shtëpi do të shkojnë edhe Kadri Veseli dhe Presidenti Hashim Thaçi.PDK i reagoi Kryeministrit duke i thënë se s’ka nevojë të frikësohet nga rrëzimi sepse ende e përkrahë.