Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka raportuar për para Komisionit për Shëndetësi për mënyrën e menaxhimit të pandemisë COVID-19, njofton Llapi.info.
Zemaj potencoi se ka kërkuar nga institucionet shtetëror të rrisin mbikëqyrjen për parandalimin e virusit.
Ndërkaq, në pyetjet e parashtruara nga deputeti i VV-së, Fitim Haziri, Zemaj në Komision ka kërkuar nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, t’u përgjigjet pyetjeve.
“Sa vatra të infeksionit i kemi për momentin? Sa shpërndarës kemi që s’dihet se kah e kanë marrë infeksionin? Në cilën pjesë të lakores jemi momentalisht? Çka nënkuptojmë me R0?”, ishin pyetjet e deputetit Haziri parashtruar Ministrit Zemaj. Mirëpo, i fundit ka kërkuar “angazhimin” e drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani.
“Mos iu gëzoni rritjes së numrit të rasteve. Janë krahasimet mes izolimit dhe hapjes. Po e them edhe një herë mos iu gëzoni nëse ka rritje të të infektuarve. Sa i përket asaj që ju po pyetni do t’iu përgjigjet profesor Ramadani. Qëllimi im ka qenë që ta shtojmë numrin edhe i Ministrisë. Qëllimi tjetër është që ta zgjerojmë testimet masive dhe të kalojmë në testime tjera. Statistikat analizoni i keni çdo ditë. Për vatrat e reja po mundohemi që t’i kemi nën kontroll. Kjo qa folëm është angazhim për kapacitetet që i ka momentalisht Republika e Kosovës dhe po mundohemi të shkojmë drejt përfundimit të pandemisë”, ka thënë ai.
Në një replikë, deputeti Haziri ka pyetur sërish ministrin Zemajn për sa shkallë po shkon kontakti nga personi në person.
“Nuk e di se sa është profesionale, por organizoni një vizitë dhe shkojmë në laborator dhe mund t’i shihni për së afërmi”, tha Zemaj, duke kërkuar nga drejtori i IKSHPK-së që t’i kthej përgjigje deputetit të VV-së./Llapi.info






