Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri ka thënë se kryeministri i Kosovës u ka ikur interpelancave të kërkuar për raportim në Kuvend.

Në një lidhje drejtpërdrejt në Kanal 10, Haziri ka kritikuar edhe rolin e PDK-së në opozitë, ndërkohë që siç ka thënë ai, të gjithë janë bërë bashkë kundër një rezolute që është në të mirë të Kosovës.

“Ne kemi kërkuar pesë interpelanca nga Hoti, të cilave nuk u është përgjigjur, pasi ai ka kërkuar që të pestat të mbahen për një ditë. Kjo tregon mosrëndësinë rreth raportimit të Hotit për marrëveshjet e nënshkruara në Uashington. Ne s’kemi pranuar që pesë interpelancat të mbahen për një ditë, atëherë janë futur 3 prej tyre, por që nuk gjetën mbështetjen e deputetëve qoftë të opozitës, qoftë të mazhorancës. Këtu po vërehet se këta të gjithë janë bërë bashkë dhe nuk është interesi i tyre për rezolutën që është në të mirë të Kosovës”, ka thënë Haziri për Kanal 10.

Deputeti Haziri ka komentuar edhe moskalimin e pikave të rendit të ditës nëpër seanca të Kuvendit, gjersa ka shtuar se vendit, sipas tij, i duhen zgjedhjet.

“Është vështirë të kalohen ato pika me këtë përbërje të Parlamentit, që dita-ditës e ka humbur përkrahjen edhe fuqinë. Kështu që, për të kaluar këto pika duhet që vendi të shkojë në zgjedhje, që të vije një Kuvend i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve, sepse vullneti i qytetarëve është tradhtuar në Kuvend. Nuk do të kalojnë përderisa s’ka zgjedhje dhe qeveri të re”, ka thënë Haziri./Llapi.info