Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, ka folur pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie ku është diskutuar lidhur me organizimin e fushatës zgjedhore dhe mundësinë e shtyerjës së zgjedhjeve lokale.
Haziri para mediave tha se duke e parë që kjo qeveria po dështon çdo ditë në menaxhimin e pandemisë propozohet që fushata zgjedhore duhet të zgjasë pesë ditë.
“Sot u diskutua mbi çështjet që lidhen me procesin zgjedhor e 17 tetorit dhe iniciativën e LDK-së për shkurtimin e fushatës duke pasur parasysh situatën epidemiologjike, duke e konsideruar të rëndësishme situatën me pandeminë dhe dështimin e qeverisë dhe jemi të gatshëm që fushatën me shkurtuar në pesë ditë të vetme duke ftuar edhe partitë politike që të ndërtojnë një kulturë konsensusi sepse jeta e qytetarit është më e rëndësishme. Nevoja e angazhimit të partive politike duhet të jetë në kulturën e konsensusit”.
Numri dy i LDK-së theksoi se nuk ka autoritet që i shtynë zgjedhjet lokale.
“Kryetari ka biseduar edhe me partitë politike, ku presim që 17 tetori të jetë një ditë e bardhë, që qytetarët që të votojnë dhe t’i respektojnë masat, dhe të largohet logjika që të shtyhen zgjedhjet, kjo nuk bën të lejohet që të thehet Kushtetuta, zgjedhjet lokale nuk mund dhe nuk ka autoritet që t’i shtyjë ato”.
Lutfi Haziri tha se nuk ka arsye që të shtyhen zgjedhjet ka arsye që fushata zgjedhore të shkurtohet.






