Këshilltari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Fitim Haziri, ka reaguar pas mbylljes së rrugës në qendër të Podujevës. Tani, kur kanë filluar punimet në realizimin projektit “Ndërtimi i Bulevardit dhe Sheshit të Dëshmorëve në qytet” (ndërtimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik).

Sipas tij, i pari i Podujevës, Agim Veliu, punon vetëm atëherë kur i bëhet presion publik, transmeton Llapi.info

Sipas Hazirit, qytetarët llapjanë janë duke u mashtruar me punimet rreth projektit për ndërtimin e sheshit.

“Projekti në fjalë ka qenë i gatshëm që në vitin 2017, po të kishte vullnetin dhe dëshirën Veliu do mund t’i fillonte punimet qysh në fillim të vitit 2018, por e ka zgjedhur kohën e nëntorit kur fillojnë të reshurat e shiut dhe borës, të cilat e pamundësojnë realizimin e këtij projekti”, ka shkruar ndër tjerash ai.

Më poshtë postimi i plotë:

Veliu flenë verës zgjohet dimrit

Pas presionit medial rreth realokimit të mjeteve nga projekti “Ndërtimi i Bulevardit dhe Sheshit të Dëshmorëve në qytet” në projekte të tjera, kryetari Veliu paska dal me njoftim në faqe të FB Komuna e Podujevës, se për shkak të fillimit të punëve në realizimin e projektit të lartcekur, do të mbyllet për qarkullim një segment i Rrugës “Zahir Pajaziti”.

Kjo shihet qartë se kryetari Veliu nuk e ka as vullnetin e as dëshirën që të punoj për qytetarët e Komunës së Podujevës, ai fillon së punuari vetëm pasi t’i bëhet presion publik për çështje të caktuara. Rast i ngjashëm ka qenë edhe me presionin që i ishte bërë nga Lëvizja Vetëvendosje! rreth mos funksionalizimit të spitalit të premtuar, ku kryetari Veliu doli publikisht dhe bëri njoftimin se filloi punën Spitali i Podujevës, e në fakt kjo ishte vetëm mashtrim. Kështu është duke i mashtruar qytetarët edhe rreth projektit“Ndërtimi i Bulevardit dhe Sheshit të Dëshmorëve në qytet”.

Projekti në fjalë ka qenë i gatshëm që në vitin 2017, po të kishte vullnetin dhe dëshirën Veliu do mund t’i fillonte punimet qysh në fillim të vitit 2018, por e ka zgjedhur kohën e nëntorit kur fillojnë të reshurat e shiut dhe borës, të cilat e pamundësojnë realizimin e këtij projekti. Atë çfarë mund të bëjë gjatë kësaj kohe ai, mundet t’i hapë kanale dhe disa gropa, e të cilat nuk do mundë ti mbyllë ato, ashtu siç i ka lënë të hapura në rrugën “Zahir Pajaziti” afër ish fabrikës së Fapolit.

Qytetarë të dashur të Komunës së Podujevës projekte të tillë do ishte dashur të lihen në pranverë të vitit 2019 e jo të hapen kanale e gropa në kohë dimri, gropa të cilat rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe pamundësojnë qarkullimin e lire.