Objekti i jetimores në fshatin Orllan të Podujevës u ndërtua për t’iu shërbyer fëmijëve bonjakë, por ky objekt nuk u funksionalizua kurrë. Tani pas 14 vitesh, me shumicë votash të pozitës, në Kuvendin Komunal të Podujevës u miratua vendimi për ridestinimin e tij, njofton Llapi.info
Drejtori i Drejtorisë së Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë në Podujevë, Abaz Llugaliu, ka propozuar që të ridestinohet në objekt afarist (hotelier, shëndetësorë). Sipas tij, ky vendim vjen pasi që është rritur mosha e fëmijëve jetimë.
“…Vendimi për miratimin e ridestinimit të këtij objekti vjen pasi është rritur mosha e fëmijëve bonjakë”, ka thënë ndër tjerash ai.
Mirëpo, këtë vendim që ky objekt të lëshohet me qira nuk e kanë përkrahur partitë opozitare. Shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, Fitim Haziri, ka propozuar që ky objekt të jetë në ndërmarrje publike në pronë të Komunës së Podujevës.
“Objekti në fjalë të gjithë e dimë se ku gjendet, i cili ishte ndërtuar në 2005. Kostoja e tij kap shifrën diku rreth 800 mijë euro, që ishte financuar nga UFORK, Qeveria e Kosovës dhe komuna e Podujevës. Një godinë rreth 1650 metër katrorë, me 17 dhoma gjumi, kuzhinë, restorant, salla konferencash e pishinë me një fjalë një vend piktoresk”, tha Haziri.
“Një objekt si ky buzë liqenit të Batllavës , një vend shumë i bukur, shumë kush do ta dëshironte ta kishte nën menaxhimin e tij, por ja fati e deshi qe ne, në komunën tonë të udhëhiqem nga njerëz batakçi , të cilët asnjëherë në asnjë projekt nuk mendojnë se si ti shërbejnë qytetarëve të këtij vendi por si ti shërbejnë vetëm interesave të tyre personale”, shtoi ai.
Sipas tij, nëse ky objekt do të ishte funksional së paku 40 familje do të punësoheshin në të.
“Çfarë kanë humbur qytetarët e komunës së Podujevës nga mos funksionalizimi i këtij objekti? Nëse do ishte funksional ky objekt së paku 40 persona do ishin të punësuar, do të thotë 40 familje llapjane do të kishin nga një rrogë minimumi 350 euro në muaj, e cila në mënyrë direkte do t’ua përmirësonte mirëqenien e tyre, pra për 14 vite këto familje kanë pasur mundësinë që të përfitojnë 2 milionë e 352 mijë euro”, ka thënë Haziri.
Më tej ai ka propozuar që ky objekt të jetë në ndërmarrje publike në pronë të Komunës së Podujevës.
“Ne grupi i këshilltarëve të VV-së propozojmë që ky objekt të ridestinohet në një ndërmarrje publike në pronësi te komunës, ku do të mund të punësohen dhjetëra qytetarë të komunës së Podujevës, ku veprimtaria e kësaj ndërmarrje do të ndikojë në të mirën e përgjithshme të qytetarëve. Ky objekt propozojmë që të shërbej si: Pushimore për fëmijë dhe nxënës bonjakë; Pushimore për sportistë; restorant dhe dhomat që ofrojnë shërbime qytetarëve nëpërmes tyre do të krijoj të hyra kjo ndërmarrje dhe t’i shërbej dhe institucioneve lokale dhe qendrore për organizimin e trajnimeve, tryezave punuese”, ka thënë Haziri./Llapi.info






