Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se Qeverisë Kurti do t’i vije fundi shumë shpejt.
Sipas tij, deri kah mesi i dhjetorit pritet që kjo qeveri të bie.
“Maksimumi i mbijetesës së kësaj qeverie do të jetë muaji dhjetor, dhe jo më tutje”, deklaroi ai teksa e ftoi publikisht Qeverinë që të dalë në zgjedhje e të shtyhet me opozitën.
“ Sa më parë që kjo qeveri e kupton, dmth nëse nuk kanë frikë, të kthehen te sovrani, te qytetari, të maten… unë po i ftoj edhe publikisht, hajde matemi. Shkojmë te qytetari. Premtimet për të cilat e keni marrë besimin, të gjitha i keni shkelur. Ajo çka po shohim janë subvencionimet, dhe për herë të parë ndodh që buxheti i Kosovës më shumë të përdoret për subvencione sesa për investime kapitale”, tha ai në ATV.
Ai ka komentuar edhe deklaratën e Kryeministrit Kurti për zhdukjen e opozitës si pasojë e zgjedhjeve, për çka Haxhiu dha një përgjigje ndryshe.
“Nuk është opozita as vaj as sheqer i Polonisë, as gruri i Turqisë që me zhdukë me Ridin e “Bukë e Kryp e Zemër”. Opozita është aty për me korrigju këtë qeveri edhe për me ofru alternativë. Ne kemi me shpëtu këtë vend. Mënyra e funksionimit për të zhdukur kundërshtarët politikë nuk është siç e kanë zhdukë vajin e Polonisë, sheqerin e Polonisë përmes Ridit. Ka kalu ajo kohë”, deklaroi ai.