Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, dyshohet se ka shpërndarë pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional. Kallxo.com ka raportuar se Buzhala këto pyetje ia ka dërguar gazetares së tyre, duke shkruar “këto janë pyetjet e testit me shkrim”. Pas publikimit të lajmit, ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkruan Express.

Përmes një statusi në Facebook, Haxhiu ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj Buzhalës dhe suspendimin e tij.

“Lajmi i sotëm nga portali kallxo.com, që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij”, ka shkruar ministja e Drejtësisë.

Ajo tha se janë të panumërta ankesat që pranojnë lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë.

Postimi i plotë:

Janë të panumërta ankesat që adresohen në Ministri të Drejtësisë lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë. Kandidatët në vazhdimësi ankohen për punësimin e familjarëve, miqve pra për procese të kurdisura.

Lajmi i sotëm nga portali kallxo.com, që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij.

Tejkalimi i detyrave, favorizimi i kandidatëve dhe keqpërdorimi i pozitës nuk duhet të tolerohen!