Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka mundur t’i mbajë lotët derisa ka folur për rastin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, më 5 nëntor të vitit 2016 në burgun e Prizrenit, i cili ende nuk ka marrë epilog nga institucionet e drejtësisë.
Në emisionin “DPT te Fidani” në T7, Haxhiu ka deklaruar se nuk është e qetë derisa ky rast nuk është zbardhur ende, ndërsa me lot në sy ka thënë se as gjumin nuk po e bën rahat.
“Diçka që s’më le të qetë gjatë gjithë mandatit tim, diçka që… edhe gjumin s’mund ta bësh bash rehat, është rasti Dehari. Konsideroj që jo vetëm shoqëria, por edhe familja Dehari dhe bashkëshortja e tij, duan ta dinë të vërtetën. Është rast shumë i rëndë, por i takon Prokurorisë Speciale që ta adresojë këtë rast”.
Tutje, ministrja është shprehur se ky rast duhet të merret seriozisht dhe të mos neglizohet, ndërsa është zotuar se do të bëjë gjithcka që është e mundur brenda kompetencave të saj që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Tutje, Haxhiu ka thënë se rasti Dehari është më i rëndi në Kosovën e pasluftës.
“Konsideroj që rasti Dehari është rasti më i rëndë në Kosovën e pasluftës, për shkak se në 2016, kur kishte përpjekje nga pushteti i asaj kohe, për ta shpallur VV-në edhe terroriste, ishin arrestuar aktivistë të VV-së për veprime që bëheshin krejt nga dikush tjetër. Në mesin e tyre ishte arrestuar edhe aktivisti Astrit Dehari, vetëm për faktin se mendonte ndryshe nga të tjerët, në atë kohë ishte Demarkacioni dhe Zajednica”, është shprehur ajo.