Lokale - eSIMy

Deputetja Albulena Haxhiu, ka hedhur akuza mbi Kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, duke thënë se vet ai si bartës i institucioneve të Drejtësisë nuk po zbaton ligjin.

Haxhiu këto deklarata i dha sot duke iu referuar pozitave të shumta të vendeve të punës siç thotë ajo të kryeprokurorit Lumezi, njofton Klan Kosova.

”Sot ata që do duhej të ishin në nivel detyre, saktësisht bartësit e institucioneve të Drejtësisë dhe jo vetëm, kanë më shumë se tre vende pune, ose si trajner, ligjërues, drejtues komisionesh, anëtarë bordesh, përveç që janë prokurorë e gjyqtarë kanë edhe pozicione të tjera”.

”Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, i prin kësaj liste. Në vend që ai të ishte i përkushtuar në reformim dhe transformim të sistemit prokurorial, adresim të problemeve, ne kemi një prokuror që kryen shumë pozita”.

”Me qenë sot kryeprokuror në Kosovë, koha, dita është e pamjaftueshme për shkak të krimit dhe korrupsionit e dukurive të tjera”.

”Përveç që Aleksandër Lumezi që mban pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit ai është edhe kryetar i këshillit Drejtues në Akademinë e Drejtësisë, kryetar i Komisionit për provimin e Jurisprudencës, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, anëtar i bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike”.

”Ligji për parandalimin e Konfliktit të Interesit, që ka hyrë në fuqi në vitin e kaluar e ndalon këtë por ndonëse ka hyrë në fuqi ky ligj, askush se zbaton atë”.

”Problemi qëndron se përveç që kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kontrollë mbi sistemin e prokurorial, ai kontrollon se kush do të jenë kryeprokurorët e rinj”.

Veç kësaj, deputetja Albulena Haxhiu ka apeluar tek ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë, që të mos presin ndryshime për korrupsionin pasi sipas saj vet përgjegjësit e shtetit e sollën vendin në këtë gjendje, njofton Klan Kosova.

”Nuk është rasti i vetëm me kryeprokurorin e Shtetit. Duhet të flasim për këtë problem pasi ka edhe raste të tjera me veprime të kundërligjshme”.

”Nuk mund të presim nga këta njerëz që të luftojnë kontratat e dëmshme. As ambasadorët s’mund të presin diçka nga këta përgjegjës që na sollën në këtë gjendje”.

”E dalja nga kjo gjendje janë vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme”.