Lokale - eSIMy

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që kriminelët serbë të dalin para drejtësisë.

Haxhiu, e cila po qëndron në Hagë ku edhe vizitoi ish-krerë të UÇK-së, me përjashtim të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kreut të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ka thënë se vrasjet masive të popullit në Kosovë ishin gjenocid, dhe për këtë, do të kërkohet vazhdimisht drejtësi.

Shkrimi i Haxhiut në Facebook:

23 vjet më parë, Kosova po përjetonte një gjenocid të tmerrshëm të vrasjeve masive të popullsisë civile. Një pranverë e cila po karakterizohej me operacione shoviniste të Serbisë ndaj popullsisë shqiptare.

Në Pastaselë të Rahovecit më 31 mars 1999 u ekzekutuan dhe masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim.

Në Burim (Joviq) të Malishevës, më 31 mars 1999 janë vrarë 42 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72 vjeç.

Nëse botërisht ishte e qartë se kush ishin kriminelët e luftës, në vitin 1998/1999, bota duhet të dijë sërish, se kriminelët ishin në anën e Serbisë. Shumë prej tyre vazhdojnë ende të mbesin të lirë.

Drejtësia ende mungon për viktimat, për familjarët dhe për popullin e Kosovës.

Institucioneve të Republikës iu mbetet të përkushtohen edhe më tej që kriminelët serb të dalin para drejtësisë.