Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar e tronditur pas vrasjes së Arlinda Zekajt mbrëmë në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje.
Haxhiu ka theksuar se rrethanat e rastit kërkojnë hetim të plotë, duke përfshirë jo vetëm vrasjen, por edhe mënyrën se si institucionet i kanë trajtuar denoncimet e viktimës dhe çfarë masash kanë ndërmarrë për mbrojtjen e saj.
Ajo ka bërë të ditur se tri ditë para se të vritej, Arlinda i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë, duke paralajmëruar për rrezikun me të cilin përballej.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo.
Sipas Haxhiut, duhet të sqarohet çdo veprim apo mosveprim i mundshëm institucional dhe, në rast se konstatohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse.
“ Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë. Kur një femicid ndodh pasi viktima ka kërkuar mbrojtje, hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj. Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse”, ka th[n[ Haxhiu.
Reagimi i plotë i Haxhiut:
E tronditur thellësisht nga vrasja e Arlinda Zekajt mbrëmë në Vitomiricë të Pejës. Arlinda u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje.
Tri ditë më parë, ajo i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.
Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë. Kur një femicid ndodh pasi viktima ka kërkuar mbrojtje, hetimi duhet të shkojë përtej vrasjes dhe të përfshijë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet e saj, si është vlerësuar rreziku dhe çfarë masash janë ndërmarrë për mbrojtjen e saj. Duhet të sqarohet çdo veprim dhe mosveprim i mundshëm institucional dhe, aty ku vërtetohen shkelje, të përcaktohet përgjegjësia përkatëse.
Në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, do të kërkoj që komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit, me theks të veçantë te vlerësimi i rrezikut dhe bashkërendimi ndërinstitucional. Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që ligjet që miratojmë të zbatohen dhe që mangësitë të trajtohen para se të kushtojnë jetë të tjera.
Djalit të Arlindës dhe të gjithë të afërmve të saj u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta






