Lokale - eSIMy

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga Nisma Socialdemokrate, Xhemajl Hasani ka kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, raporton Llapi.info.

Ai ka thënë se kanë dorëzuar ankesë në PZAP, ndërkohë që ka shtuar se ka pritur të triumfojë në këtë garë pa balotazh në Podujevë.

“Ka pasur parregullsi të shumta. Kam edhe fakte për këtë, të cilat i kemi dorëzuar. Në Dobërdol kemi pasur votë të dokumentuar, ka dalë që s’kemi. Kam takuar mbi 13 mijë qytetarë që nga muaji qershor. Kushdo që m’i ka marrë votat, apeloj që të m’i kthejnë. Shpresojmë që të shkojmë në rivotim. Kam pritur të fitojë pa balotazh dhe kam qenë i sigurt për këtë. Të gjitha sondazhet na kanë nxjerrë fitues”, ka thënë Hasani në Kosovëshoë.

Më tej, i pari i Nismës në Podujevë ka shtuar se më nuk do të jetë kandidat për kryetar të kësaj komune, duke shtuar se në zgjedhjet tjera nacionale do të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës.

“Mundet që më të mos kandidoj për kryetar të Podujevës. Unë jam duke u përgatitur dhe jam në bisedime me disa këshilltarë nga Izraeli, për të kandiduar për kryeministër në zgjedhjet tjera nacionale. Mund të ndodhë që do të garoj si kandidat i pavarur”, ka thënë Hasani.

Hasani ka shtuar se programi i tij qeverisës në Podujevë tash ka mbetur veç në letër, duke shtuar se për këtë, Podujeva, sipas tij, ka humbur projekte të mëdha./Llapi.info