Xhemaj Hasani, kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, është shprehur i bindur se do triumfojë në zgjedhjet e 17 tetorit, shkruan Llapi.info.
Madje, Hasani thotë se do të fitojë pa balotazh, ku pikërisht në ditën e zgjedhjeve, siç ka deklaruar ai, do të festohet fitorja e Nismës në sheshin e qytetit të Podujevës.
“Agjenda ime pas orës 19:00 me datë 17.10.2021 e më tutje. 17 tetor, ora 20:00, rezultatet prelimare nga Exit Polli, do të dalë në shesh për të festuar fitoren. 3-4 ditë derisa të përfundojnë afatet ligjore, ankesat edhe disa formalitete, do të pushoj diku. Më 28/29 nëntor shpallen rezultatet zyrtar. Më 1 dhjetor, në ora 08:00 priti në takim jaranin tim, Shpejtimin, e pimë nga një kafe aty në Komunë edhe ma dorëzon detyrën. Takimi do të zgjatë 30 minuta, gjithsesi se do ta falënderoj për angazhimin e tij për këta 11 muaj në krye të detyrës. Në ora 08:30-45 e mirëpres në takim Gazmend Islamin. 08-45-09:00 zhvilloi takim me Ekrem Hysenin. 09:30 – 09:45 Floretë Zejnullahu. 10:00 në fund vjen ëmbëlsira në zyra, Besnik Tahiri, takimi do të zgjatë më shumë dhe aty do të marrë edhe ndonjë këshillë nga ai”, ka shkruar Hasani në Facebook.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor. Në garë për kreun e Podujevës janë Shpejtim Bulliqi i VV-së, Ekrem Hyseni i LDK-së, Floretë Zejnullahu e PDK-së, Besnik Tahiri i AAK-së, Xhemajl Hasani i Nismës dhe Gazmend Islami i Ballit Kombëtar Demokrat./Llapi.info






