Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar Zana Bytyqin, përfaqësuese e organizatës joqeveritare “Familja dhe Shpresa”, dhe familjarë të tjerë të 86 të vrarëve e të zhdukurve nga Komuna e Klinës, të vrarë më 4 prill 1999 në masakrën e Kralanit.
Në këtë takim, kryeministri është njoftuar nga përfaqësuesja e OJQ “Familja dhe Shpresa” me kërkesën e kësaj organizate që ka të bëjë me ligjin për Gjykatën Speciale, me qëllimin që të gjykohen edhe kryerësit serbë të krimeve në Kosovë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë në mbarë vendin.
Haradinaj, duke shprehur nderimin dhe respektin për familjet e martirëve dhe gjithë dëshmorëve, tha se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi, në mënyrë që udhëheqësit dhe ekzekutorët të sillen para drejtësisë.
Po ashtu kreu i ekzekutivit tha se po punohet intensivisht në avancimin e statusit ligjor të kategorisë së familjeve të pagjeturve dhe të martirëve, në mënyrë që të gjithë të trajtohen si kategori e lirisë së vendit.