Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka dënuar ashpër sulmin vandal ndaj Konsullatës së Republikës së Kosovës në Kopenhagë të Danimarkës.
“Besojmë fuqishëm që autoritetet e kontaktuara daneze do t’i vendosin sa më shpejtë para drejtësisë akterët e këtij akti të dënueshëm dhe të papranueshëm.
Asnjë sulm nuk do ta pengojë Kosovën dhe diplomatët e saj nëpër botë, që të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, duke avancuar interesin e Republikës së Kosovës dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit”, shkruan ajo.
Ministrja tutje thotë se Konsullata e Kosovës në Kopenhagë e ka vendosur menjëherë flamurin e Republikës lartë në shtizë, aty ku edhe e ka vendin.