Kryeministri Haradinaj, thotë se mirëpresin kritikat nga shoqëria civile dhe theksoi se, kjo nuk është Qeveri që vajton, por është Qeveri që përballet me të gjitha problemet e këtij vendi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në lansimin e Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023 , organizuar nga Zyra e Kryeministrit/Zyra për Qeverisje të Mirë me mbështetjen e Projektit të Asistencës Teknike të BE-së, që ka për qëllim prezantimin e synimeve të Qeverisë para publikut, organizatave të shoqërisë civile, përfaqësuesve të institucioneve dhe partnerëve në përfshirje të zbatimit dhe monitorimit të strategjisë.
Kryeministri Haradinaj tha se Strategjia Qeveritare për bashkëpunim me Shoqërinë civile 2019-2023 ndërlidhet me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021 dhe ka për qëllim vazhdimin e komunikimit të rregullt me shoqërinë civile dhe partnerë të tjerë.
“Me këtë strategji ne synojmë
që të rrisim bashkëpunimin dhe t’i arrijmë katër objektivat strategjike;
rritjen e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në bërjen e politikave,
rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në financimin publik për
shoqërinë civile, zhvillimin e praktikave dhe procedurave për
kontraktimin e shoqërisë civile për ofrimin e shërbimeve publike, dhe
nxitjen dhe promovimin e vullnetarizmit në programet në interes publik”,
tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se duhet të jemi krenarë
ngase sipas treguesit të Bankës Botërore për politikëbërje, Kosova është
renditur e para në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të
procesit të politikë-bërjes në Qeveri.
Siç njofton kumtesa e
kryeministrisë, Haradinaj tha se për të vazhduar këtë punë suksesshëm,
në mbledhjen e fundit të Qeverisë, është marrë vendimi për themelimin e
Këshillit për bashkëpunim të Qeverisë me shoqërinë civile, i cili nuk do
të ketë për mandat vetëm zbatimin e Strategjisë, por do të jetë
mekanizmi kryesor i cili do ta koordinoj të gjithë procesin e
bashkëpunimit të Qeverisë me shoqërinë civile.
Me këtë rast, kryeministri
Haradinaj ka siguruar përkrahjen e tij dhe të Qeverisë për mbështetje e
Zyrës për Qeverisje të Mirë/Zyrën e Kryeministrit, me qëllim të zbatimit
sa më efikas të Strategjisë.
“Qeveria po ashtu ka zotuar
dhe siguruar buxhetin për objektivat, planin e veprimit dhe për
zhvillimin e mirëfilltë të punës në zbatimi të strategjisë”, tha
kryeministri Haradinaj, duke theksuar se përkundër të arriturave,
gjithmonë na mbetet shumë punë për të bërë, që këto objektiva të
vendosura në këtë strategji të realizohen.
Kryeministri Haradinaj
falënderoi donatorët, duke thënë se përveç programit tonë, është një
involvim i madh i partnerëve, i donatorëve, i vendeve të BE-së,
Amerikës, për përkrahjen që i kanë dhënë gjithë këto vite dhe vazhdojnë
të japin për shoqërinë civile në Kosovë.
Nataliya Apostolova, shefe e
zyrës së BE-së në Kosovë, vlerësoi se lansimi i Strategjisë është një
ditë e rëndësishme, duke thënë se strategjia është një zotim i
rëndësishëm për një dialog gjithëpërfshirës në mes të Qeverisë dhe
Organizatave të Shoqërisë Civile.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje
të Mirë e Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, tha se ky është një i
dokument i rëndësishëm i përbashkët ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë
Civile, i cili synon forcimin e dialogut ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë
civile.
Në lansimin e Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile, nga një fjalë mbajtën, Taulant Hoxha, Përfaqësues i CiviKos-it dhe Dajana Berisha, përfaqësuese e Qendrës Burimore për Shoqëri Civile.
Në fjalën përmbyllëse kryeministri Haradinaj, tha se mirëpresin kritikat nga shoqëria civile, por theksoi se, kjo nuk është Qeveri që vajton, por është Qeveri që përballet me të gjitha problemet e këtij vendi.






