Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se është i habitur me komoditetin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefit të Qeverisë, Albin Kurti për mos-sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Haradinaj u shpreh se Kosova nuk duhet të marrë vaksinën ruse dhe kineze ngase janë në pozicione armiqësore, dhe si të tilla janë të dyshimta.

“Nuk guxojmë me marrë as vaksinën ruse e as kineze sepse jemi ne pozicione armiqësore. Unë nuk guxoj me ua sugjeru qytetarëve këto vaksina. Nuk guxoj me marrë vaksinë me origjinë të dyshimtë. Duhet t`i sigurojmë vaksinat sa më shpejt, kemi adresë, në Evropë dhe Amerikë. Nuk bën të humbim kohë. Jam i habitur me komoditetin e Ministrit dhe Kryeministrit. E hetoj një mungesë fokusimi. Nuk e kanë fokusim punën dhe nuk kanë një plan serioz për punë”, tha Haradinaj për Front Online.

Ish-kryeministri theksoi se Qeveria Kurti ka mungesë të planit qeverisës dhe kjo qeveri nuk duhet të kursejë buxhetin për vaksina.