“I takojmë popujve që janë më solidar, më të kuptueshëm, të pranueshëm dhe vlerat njerëzore i kemi enorm të çmuara”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë konferencës “Aftësia e Kufizuar Intelektuale në Kosovë”, e cila u organizua nga Shoqata Down Syndrome Kosova në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me sindromën Down.
Kryeministri Haradinaj, njofton komunikata e kryeministrisë, falënderoi të gjitha organizatat, donatorët, që në mënyra të ndryshme kanë mbështetur Shoqatën Down Syndrome Kosova, duke thënë se kjo është një dëshmi e një ndjenje të ndërsjellë që kemi për secilin dhe tregon kujdesin për këta persona.
“Qeveria e Kosovës me avancimin e kornizës ligjore për përkrahjen e personave me sindromën Down për këtë vit ka miratuar koncept dokumentin për hartimin e projektligjit për gjithëpërfshirje. Me këtë projektligj do të sigurohemi që të gjithë personat me sindromën Down të kenë përfitimet, vendin dhe statusin e merituar”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se Qeveria e Kosovës në vitin 2018 ka miratuar Rregulloren për lehtësirat doganore dhe tatimore për punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuar dhe për persona me aftësi të kufizuar që ushtrojnë veprimtari të pavarur.
Po ashtu, Haradinaj vlerësoi lartë angazhimin e personave me sindromën Down, kontributin e tyre në familje, në shkollë, ambiente pune dhe në shoqëri, duke theksuar se në festa të fundvitit ka përzgjedhur kartolinat unike të punuara me përkushtim dhe dashuri nga këta fëmijë.
Më tej, Haradinaj, foli edhe për Planin Nacional për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës 2018-2020, duke theksuar se ky plan përbën një politikë nacionale që koordinon veprimet e të gjitha institucioneve në mbrojtjen, promovimin dhe përmbushjen e të gjitha të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Ai tha se Strategjia nacionale për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe detyrimet që dalin nga ky dokument, kanë për fokus pesë fusha kryesore të jetës së qytetarëve më aftësi të kufizuar: shëndetësinë, mirëqenien sociale, punësimin, arsimin, mbrojtjen ligjore dhe qasjen.
“Si Qeveri kemi ende punë për të bërë në mënyrë që të jemi të drejtë dhe afër qytetarëve tanë, atyre me nevoja të veçanta, posaçërisht personave me sindromën Down, por ju siguroj se në këtë realitet të jetës tonë respektin më të madh e kemi për të gjithë ata vullnetarë, aktivistë, të rinj e të reja, që nuk hezitojnë dhe me punën e tyre organizohen sikur rasti i sotëm dhe në vazhdimësi që të mos mungojë prezenca jonë te personat me sindromën Down”, tha Haradinaj.
Sebahate Hajdini Beqiri, drejtore ekzekutive e Down Syndrome Kosova, tha se po e shënojnë këtë ditë duke vazhduar të jenë zëri i komunitetit që përfaqësojnë, zëri i tyre për të drejta të plota për shërbim, mbështetje, për të drejta në arsim, në punësim dhe trajtim të barabartë.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyçi, Riccardo Serri, u.d. i shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Ahmet Kryeziu, drejtor i organizatës “Save dhe Children” në Kosovë, dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.






