Lokale - eSIMy

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj do të marrin pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit të kryesuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron që do të mbahet më 29 prill në Berlin të Gjermanisë.

Haradinaj ka thënë se ky do të jetë një takim i gjerë dhe se nuk do të ketë takime bilaterale me delegacionin serb që po ashtu do të jenë të pranishëm në këtë samit.

“Është një takim i gjerë ku do të jenë të pranishëm udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve të BE-së. Është një nder që këtë takim e kryesojnë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron”.

“E kam për nder ta përfaqësojë Kosovën. Nuk kemi agjendë ose takime të tjera bilaterale kokë më kokë”.

Ai ka mohuar se në këtë takim mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk është takim bilateral. Është një takim i gjerë ku janë të ftuar edhe Edi Rama, Zoran Zaev dhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor – është logjika e procesit të Berlinit”.

“Është shumë me peshë sepse në të kaluarën këto takime i ka kryesuar presidenca e BE-së ndërsa tani kryesohet nga kancelarja gjermane dhe presidenti francez”.

“Mendoj që është nder për Kosovën, por nuk kam parashikim të ndonjë marrëveshje potenciale Kosovë –Serbi në këtë takim”.

“Për negocim për marrëveshje me Serbinë, ne e kemi votuar delegacionin shtetëror dhe janë njerëzit e mandatuar për këtë temë”.

Megjithatë, shefi i Qeverisë ka thënë se shpreson që në këtë takim do ta ketë mundësinë ta shtrojë çështjen e liberalizimit të munguar të vizave.

“Janë shumë njerëz të ftuar ku do ta kemi mundësinë të bisedojmë. Do të konsulohemi paraprakisht këtu për temat”.

“Jemi të interesuar për liberalizim të vizave dhe shpresoj që do ta kem mundësinë ta trajtojmë këtë temë”.

“Zgjedhjet në Bashkimin Evropian mbahen më 26 maj derisa mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave të BE-së është në qershor prandaj shpresojmë që të punojmë edhe në këtë temë”.