Lokale - eSIMy

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk qëndron duarkryq kur janë në pyetje interesat nacionale.

Në takim me qytetarët e Fushë-Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se po viziton të gjitha komunat e vendit për shkak se ka qenë pjesë e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Me qytetarët ka diskutuar për marrëveshjen Kosovë-Serbi, ndërkohë që ka shprehur shqetësimin për qeverisjen aktuale.

“Në Fushë Kosovë ku bashkohen qytetarët e mbarë Kosovës dhe Luginës, sqarova se i kam vënë vetes obligim që të vizitoj të gjitha komunat e vendit për bashkëbisedim me qytetarët, obligim ky që del nga fakti se kam qenë pjesë e Çlirimit dhe shtetndërtimit të vendit, pjesë e politikës dhe institucioneve. Marrëveshja obligative ligjore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke, ishte fokus i këtij takimi, pasi që vendimet e saj prekin të ardhmen e secilit prej nesh dhe fëmijëve tanë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka shprehur se është i gatshëm ta ndihmojë vendin.

“Sa i përket qeverisjes në vend, shpreha shqetësimin tim se vendi po shkon prapa, krizat ekonomike dhe energjetike, vetëm se po thellohen. Përkundër zhgënjimit që kemi për këtë lloj qeverisje, unë dhe Aleanca, jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën dhe asnjëherë nuk do të qëndrojmë duarkryq kur janë në pyetje interesat nacionale”.