Kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Pas çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së Pavarësisë, hartimi i Kushtetutës së vendit është ndër datat më të rëndësishme të kalendarit tonë shtetëror. Më 9 prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e saj”, ka thënë Haradinaj, përcjell Klan Kosova.

“Një dekadë më parë, përmes këtij dokumenti, u vulos Kosova jonë si vend i pavarur, me qytetarë të lirë me të drejta të barabarta për secilin, në frymën e pakufizuar demokratike”.

“Dekada e parë e Kushtetutës së vendit, krahas qenësimit tonë si shtet juridik, ka përjetuar edhe sfidat e saj”.

Haradinaj ka thënë se ato sfida, tregojnë edhe vlerat demokratike si shoqëri kur janë pranuar parimet kushtetuese si parime udhëheqëse të Kosovës.

“Sot, ky bazament ligjor shpërfaq vlerat më të larta të demokracisë sonë”.

“Përvjetori i sivjetmë, i shtyllës kryesore ligjore të vendit, na gjen me plot detyra. Na gjen me punë, me suksese të numëruara, por edhe sfida për t’i tejkaluar e që na bëjnë më të fortë. Por, mbi të gjitha, ky jubile na gjen më të sigurt se kurrë, për rrugën tonë euro-atlantike dhe miqësinë e përhershme me SHBA-në”.

“Urime 9 prilli, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”!