Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Socialdemokrate (PSD), sot kanë mbajtur tubim me qytetarët e Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info.

I nominuari për Kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj ka përmendur projektet që duhet do t’i ketë parasysh qeverisja e ardhshme për Podujevën.

“Edhe kësaj here s’jam ardhur me marrë diçka prej Podujeve, por kam ardhur me dhanë edhe unë një krah temin për Llapin. Ka shumë punë që na presin edhe në Podujevë, të cilat i kam në një listë, si: Zgjerimi i sistemit të ngrohjes përmes kogjenerimit, impianti për trajtimin e mbeturinave. Është përfundimi i autostradës deri në Merdare në partneritet me fonde të BE-së, përfundimi i rrugës Podujevë – Prishtinë se shkoj gjatë, kolektori i ujërave të zeza, sistemi i ujitjes, furnizimi me ujë për fshatrat, zona e lirë ekonomike që duhet të ndodh në Merdare, lirimi në tatim. Po ashtu, zhvillimi dhe planet zhvillimore si ajo e turizmit, zona bujqësore janë këto projekte që Qeveria e ardhshme duhet të përkujdeset për to”, ka thënë ai.

Më tej, kreu i AAK-së, parti kjo e cila në zgjedhjet e 6 tetorit garon në koalicion me PSD-në, ka folur edhe për prioritetet e qeverisjes së tij pas 6 tetorit.

“Ne i kemi tri projekte qeverisëse, si: Zhvillimi ekonomik, logjistika dhe burokracia. Po ashtu, në arsim, shëndetësi se e kemi rrejt shumë popullin se është fal, por ku po shkojnë s’po është bash ashtu dhe dëshirojmë ta zgjidhim këtë problem. Duhet me i dhënë shtesat për fëmijë se s’kemi qare pa i dhënë se po na pakësohet popullsia, jemi ka lindim ma pak fëmijë dhe po pakësohemi. Me pensione të garantuara. Pra, është një qeveri që ka plan konkret si me ec në zhvillim. Pagat në sektor publik do t’i rrisim 10 për qind çdo vit, njëkohësisht paga minimale dhe pension s’do të ketë ndër 250 euro”, ka shtuar ai.

“Jemi edhe një herë te ju, është vendim i juaj. Një votë të juaj e kam për respekt, sado që ta na jepni vota, kurrë s’ia kthejmë shpinën kësaj treve, por mundemi me bë shumë ma shumë se këta për Llap nëse ma jepni besimin”, ka deklaruar Haradinaj./Llapi.info