Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, kanë mbajtur sot tubimin zgjedhor në Podujevë.
Kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, para simpatizantëve llapjanë, duke kërkuar votën në zgjedhjet e 6 tetorit ka adresuar akuza ndaj oponentëve politik, duke e cilësuar koalicionin e tyre si zgjidhjen më të mirë për shtetin 100 për qind.
Haradinaj në Podujevë tha se si 1 prilli po del të jetë edhe LDK-ja “kur po thotë se do të ç’kapim shtetin”, pasi sipas tij ata deri më tash kanë qenë në bashkëqeverisje me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
“Edhe LDK-ja nuk është pa merita nëse ka korrupsion e kapje të shtetit, e probleme. P.sh. Kadria tash po ikë prej anijes, thuajse ai nuk ka qenë në anije që 20 vite. Po mundohet ai me dalë i pastër dhe me thënë ne do të luftojmë korrupsionin. Ajo po i bie si 1 prilli kur po thotë do ta luftojmë korrupsionin. Ama edhe një gjë, si 1 prilli po del edhe LDK-ja kur po thonë do të ç’kapim shtetin. Prej kujt e ç’kapni? Ju keni qenë në bashkëqeverisje me Hashimin edhe Kadrinë. E shohë Albinin po vjen edhe ai me ide të veta, për një agrarë”, tha Haradinaj.
“Jemi edhe një herë te ju, është vendim i juaj. Një votë të juaj e kam për respekt, sado që ta na jepni vota, kurrë s’ia kthejmë shpinën kësaj treve, por mundemi me bë shumë ma shumë se këta për Llap nëse ma jepni besimin”, ka deklaruar i pari i AAK-së.
Haradinaj pak para përfundimit të fjalimit, ka treguar edhe arsyen se përse ka bërë koalicion me PSD-në për zgjedhjet e 6 tetorit.
“S’kam bërë koalicion me këto partie të tjera se s’kam dashur të futem nën strehë të tyre, se s’po ju zë besë. Kam bërë koalicion me PSD-në se kur kenë momentet e rëndësishme si ushtria, taksa e Trepça e mbajtën të drejtën për me përkrah Kosovën e jo mu”, përfundoi ai./Llapi.info