Lideri i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë që pret që Gjykata Kushtetuese do t’i japë përkrahje dekretit të presidentit, Hashim Thaçi, për mandatarin Avdullah Hoti.
Sipas Haradinajt, kjo ka ndodhur pasi Vetëvendosjes i është dhënë mundësia për formimin e Qeverisë për të dytën herë dhe nuk e ka shfrytëzuar.
“Për ne, është me rëndësi që Kosova të ketë Qeveri të votuar në Parlament, pra të plotfuqishme, e cila mund të marrë veprime dhetë hartojë ligje. Është me rëndësi që të kemi një ligj për emergjencën ekonomike, të pakos fiskale për ekonominë. Këtë vetëm Qeveria e re mund ta bëjë. Kemi plot punë që e presin vendin. Shpresoj të mos humbim kohë pas vendimit të Gjykatës”, është shprehur Haradinaj në Rubikon në Klan Kosova.
“Jam optimist që Gjykata do t’i japë përkrahje dekretit për mandatarin Hoti. Kjo, duke pasë parasysh faktin që janë konsumuar procedurat për partinë e parë. Vetëvendosjes iu dha mundësia për të dytën herë, nuk e shfrytëzoi dhe kaluam te partia e dytë”.






