Lokale - eSIMy

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se “skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike”.

Sipas tij mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, EULEX-it e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese.

Të mërkurën, në një postim në Facebook, Haradinaj ka vlerësuar se gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.

“Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh. I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar! Serbia nuk zmbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me ‘trimat e rrjeteve sociale’”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Washingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!”, ka shkruar Haradinaj.