Në qytetin e Pejës është bërë zbulimi i shtatores së Heroit të Kombit Gjeneral Major, Shkëlzen Haradinaj dhe Obeliskut të 183 dëshmorëve nga Komuna e Pejës, njofton Klan Kosova.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij ka thënë që dëshmorët kanë dhënë jetën që Kosova të jetë e lirë e jo e izoluar.

“Kur flasim pë rrrugën tonë drejt lirisë nuk duhet të harrojmë kontributin e atyre që dhanë jetën. Jemi në Pejën e Haxhi Zekës, asnjëherë nuk do t’i harrojmë ata që kanë mbrojtur Kosovën. 74 për qind e infrastrukturës së Pejës ka qenë e shkatërruar, qindra të vrarë. Kjo është historia e Pejës, po kështu është historia e gjithë Dukagjinit”.

“Nuk dëshirojmë liri që e izolon popullin tonë pasi ne e kemi kërkuar lirinë tonë po e kemi kërkuar atë për t’iu bashkuar popujve tjerë, botës, NATO-s. Ne jemi të interesuar që t’i thellojmë marrëdhëniet me shtetin e Malit të Zi për një gatishmëri të tyre për të zgjidhur çdo problem”.

Haradinaj ka thënë që ndjehet krenar që Dukagjini e ka “dhënë provimin” në kohën e luftës.

“Dukagjini nuk e la vetëm Drenicën dhe nuk i la Jasharajt. Kurrë nuk do t’i tradhtojmë miqtë dhe aleatët tanë”.