Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur të premten në takim Koordinatorin kundër terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit, Nathan A. Sales, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.

Kështu thuhet në njoftimin e Zyrës për Komunikim të Qeverisë së Kosovës.

Më tutje në këtë komunikatë theksohet se kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Sales, për progresin dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, konsolidimin e përgjithshëm të institucioneve të sigurisë, duke thënë se Kosova sipas tij, është pjesë e koalicionit global në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi të përkushtuar në bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. U jemi mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme që keni dhënë në kohëra të vështira dhe tani në jetësimin e shtet ndërtimit demokratik të vendit”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, përfundon ky njoftim.