“Kosova është e përcaktuar për të ardhmen euro-atlantike, në miqësi të përhershme me ShBA-të…”
“Fat i madh për vendin që gjithë këto vjet, për të realizuar të drejtën tonë dhe për të arritur këtu ku jemi sot ne kishim një zë të fuqishëm përkrah. I lumtur si në çdo rast tjetër, ta pres sot Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel dhe të ndajë me të të arriturat e vendit, sfidat dhe aspiratat tona”, kështu tha Kryeministri Ramush Haradinaj, pasi priti në takim mikun e madh të shqiptarëve, kongresistin amerikan, njëherësh Kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel.
Fillimisht kryeministri Haradinaj, e ka uruar kongresistin Engel për shënimin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së dhe hapjen e ndërtesës së re të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, duke thënë se Kosova do të jetë përjetë mirënjohëse për përkrahjen që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë para dhe gjatë luftës dhe tani në shtetetndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar kongresistin Engel me proceset e përgjithshme në vend, prioritetet qeverisëse, forcimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik, duke potencuar se synimi i Kosovës është anëtarësimi në BE dhe në NATO, duke falënderuar njëherësh kongresistin Engel për kontributin e tij të vazhdueshëm për të gjitha proceset në Kosovë.
“Kosova është e përcaktuar për të ardhmen euro-atlantike, në miqësi të përhershme me ShBA-të, fqinjësi të mirë me vendet e rajonit dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë, me një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme që çon në njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, tha Kryeministri Haradinaj dhe kërkoi mbështetjen e SHBA-ve edhe në procesin e dialogut.
Duke theksuar se partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve do të vazhdojë edhe në të ardhmen si dy vende mike, kryeministri Haradinaj theksoi nevojën e mbështetjes së kongresistit Engel në konsolidimin ndërkombëtarë të vendit dhe në anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare.
Kongresisti amerikan Eliot Engel, tha se është i ngazëllyer që kthehet në Kosovë dhe i bashkohet festës së 4 Korrikut dhe përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, kongresisti Engel vuri në dukje përparimin e madh që Kosova ka bërë që nga pavarësia dhe shpreson që ky vend të vazhdojë të përparojë në drejtim të prosperitetit, demokracisë dhe sundimit të ligjit.