Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.
Haradinaj ka thënë se taksa nuk është pengesë për dialogun Kosovë-Serbi, mirëpo mosgatishmëria për njohje është ajo që e pengon këtë proces.
“Taksa asnjëherë s’është pengesë ne e kemi kërkuar një kornizë të marrëveshjeve ku përfshihet e dhe lëvizja e lirë, pengesë është mosgatishmëria për njohje, jo taksa”, ka theksuar ai.
I pyetur rreth iniciativës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli për një komision hetimor rreth veteranëve mashtrues, Haradinaj ka thënë se çdo obligim që merr parlamenti është i respektueshëm prej anës së tij, por ka shtuar se kur ka lëndë në gjykata është më mirë t’i lihet në dorë drejtësisë.
Sa i përket takimit të Parisit, kryeministri mendon se për të ecur përpara duhet të bëhet e qartë se çfarë përmban marrëveshja e mundshme në mes Kosovës dhe Serbisë, të paktën kornizat e saja.
“Edhe në vjeshtë nëse rikthehet dialogu, prapë duhet një kornizë marrëveshje për me ditë çka do të dialogohet. Nuk ka logjikë me dialogu pa i ditë elementet. Me Serbinë nuk mund të diskutojmë për kufijtë, kemi marrëveshje ndërkombëtare”.
Haradinaj ka shtuar se nuk do të marrë pjesë në asnjë ngjarje që nuk e qartëson si do të ecë procesi më tutje.