Lokale - eSIMy

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kanë prova që ekziston një skenar improvizimi për një krizë humanitare në veri të Kosovës.

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri u ka thënë gazetarëve se nuk do të lejojnë t’u mungojë asgjë qytetarëve të Kosovës në veri të vendit, por që do t’i dekonspirojnë projektet e tilla, që sipas tij janë të çuditshme.

Haradinaj tha se janë të detyruar të vendosin rend dhe ligj në veri të vendit, dhe se nuk do të kthehen prapa por do të punojnë drejt përforcimit të ligjit atje.

“Ne jemi në dijeni vetëm dy-tre javë përpara për një plan të tillë të improvizimit të një krize humanitare duke i bartë produktet e caktuara nëpër shtëpi, në objekte të tjera, kemi edhe prova të këtij skenari të tillë, njerëz të involvuar. Ne nuk do të lejojmë që t’u mungojë asnjë produkt, sepse janë qytetarë të Kosovës por po ashtu do t’i dekonspirojmë këto projekte të tilla që janë të çuditshme, nuk i takojnë më këtij shekulli, janë metoda të kaluara ato të veprimeve të tilla. E dimë se target kohe e kanë të enjten për me aktivizu këtë skenar, e kemi paralajmëruar një ditë përpara”, ka thënë Haradinaj. “Ekziston një tendencë që me na detyru si Kosovë me i mbyll sytë para kontrabandës dhe para trafiqeve, pra nuk guxojmë me leju këtë, jo për shkak të ndonjë produkti ushqimor por kontrabandistët përveç produkteve ushqimore mund të bartin edhe narkotikë, armë, edhe produkte të tjera”, tha kryeministri Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.