Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj edhe sot kundërshtoi ashpër idenë për siç e quajti ai ‘ ndarje të Kosovës’ në kuadër të negociatave me Serbinë.
Kryeministri pas mbledhjes së Qeverisë tha se sovranitetin e e Kosovës nuk do ta dërgojë në tavolinë të dialogut, duke shtuar se ‘dialogu i mafias’ për ndarjen e Kosovës, ka dështuar.
“Një kornizë marrëveshje për njohje reciproke Kosovë-Serbi është dalja nga kjo gjendje, kornizë marrëveshje në kufijtë ekzistues. Nuk jam këtu as për me e përshtat Kosovën as me e çu sovranitetin në tavolinë të dialogut. Jemi vend sovran, s’kanë me u marr vendime sovrane në dialog sepse është një tavolinë Ad-hoc”, u shpreh ai.
“Ka devijuar dialogu i zonjës Mogherini edhe i akterëve që kanë qenë aty, edhe i sponsorizuesëve, edhe i krejt mafias që ka qenë për ndarjen e vendit tonë. Fatmirësisht që kanë dështuar”, vijoi më tej Haradinaj.