Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për ulje të çmimit të naftës derisa ka akuzuar kompanitë që shesin naftë se kanë dëmtuar financiarisht qytetarët me çmimin e lartë.

“Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar”, ka shtuar ai.

Haradinaj i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të ulur çmimin e naftës që ka dëmtuar qytetarët e Kosovës.

“U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë”, ka shkruar Haradinaj.

“Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare”, ka shkruar ai.

Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që…

Publiée par Ramush Haradinaj sur Mercredi 26 décembre 2018